Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur deklaratën e tij përmbyllëse përpara trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se nuk ndjen asnjë pendesë për veprimet e tij gjatë luftës në Kosovë.
“Vendosa të kthehem në Kosovë në vitin 1998. Ishte vendim personal. Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do të bënte secili prej jush nëse vendi juaj do të përjetonte atë që përjetoi populli im. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem kurrë,” deklaroi Thaçi para gjyqtarëve.
Ai e cilësoi si të pavërtetë dhe ofenduese akuzën e Prokurorisë se synimi i tij ishte marrja e kontrollit të Kosovës, duke theksuar se një pretendim i tillë fyen mijëra viktima dhe luftëtarë që dhanë jetën për liri.
Sipas tij, kundërshtari i vetëm i popullit të Kosovës ishte Slobodan Milošević, ndërsa shqiptarët, siç u shpreh ai, nuk ushtronin pushtet, por përballeshin me shtypje dhe represion. Thaçi theksoi se shpresa e vetme për shpëtim ishte mbështetja e botës demokratike, veçanërisht e NATO dhe Shteteve të Bashkuara.
“Luftën e kishte nisur Millosheviçi. Ne vetëm po vetëmbroheshim. Lufta përfundoi falë ndërhyrjes së NATO-s. Pa atë ndërhyrje, nuk do të kishte pavarësi të Kosovës,” u shpreh ai.
Seanca e sotme shënon fundin e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, si dhe ndaj ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Të katërt akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar vazhdimisht. Prokuroria ka kërkuar dënimin e tyre me nga 45 vite burg secili, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e pafajësisë për mungesë provash.
Pas mbylljes së deklaratave, çështja kalon për vendimmarrje te trupi gjykues, i cili ka deri në tre muaj kohë për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit.









