J. D. Vance mohon përçarjet me Rubion – Fokusi tek detyra, jo te gara presidenciale e 2028-ës

Zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance deklaroi se nuk ka “asnjë konflikt” mes tij dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, mes spekulimeve se të dy mund të përballen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Në një intervistë për Fox News, Vance kritikoi mediat për përpjekje për të krijuar përçarje artificiale brenda administratës. “Marco po bën një punë të shkëlqyer. Presidenti po bën një punë të shkëlqyer. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku,” u shpreh ai.

I pyetur nëse synon të kandidojë për president në 2028, 41-vjeçari shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke theksuar se prioriteti i tij aktual është detyra që mban sot. “Do të shqetësohemi për një punë të ardhshme në një moment tjetër,” tha ai.

Nga ana tjetër, Rubio ka deklaruar më herët se do të mbështeste një kandidaturë të Vance, nëse ky i fundit do të hynte në garë, por raportime nga The Washington Examiner sugjerojnë se dy figurat mund të përballen indirekt në skenën publike, sidomos gjatë informimeve për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump, megjithëse Kushtetuta amerikane nuk lejon një mandat të tretë, ka përmendur herë pas here publikisht mundësinë e rikandidimit në vitin 2028, duke mbajtur gjallë debatet brenda kampit republikan.