Media zviceriane “zbërthen” orvatjen e Ramës – Nga batuta për Trump te lëvizja për t’u futur në “Bordin e Paqes”!

Media zvicerane SRF i ka kushtuar një analizë rolit të vendeve të Ballkanit në nismën e ashtuquajtur “Bordi i Paqes”, duke u ndalur veçanërisht te kryeministri Edi Rama. Sipas artikullit, një video ku Rama ironizonte presidentin amerikan Donald Trump — duke ngatërruar Shqipërinë me Armeninë — u shpërnda gjerësisht në botë dhe riktheu vëmendjen mbi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit.

Analiza thekson se përfshirja e Shqipërisë në këtë strukturë nuk shihet thjesht si një veprim formal diplomatik, por si pjesë e një strategjie politike për të forcuar afrimin me Shtetet e Bashkuara.

“Bordi i Paqes” u prezantua nga Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në WEF në Davos. Disa fuqi të mëdha evropiane nuk morën pjesë në themelim, pasi e konsideruan një iniciativë paralele ndaj OKB-së.

Ndër shtetet që synojnë t’i bashkohen nismës përmenden Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria, ndërsa Rumania pritet të marrë pjesë si vëzhguese në mbledhjen e parë.

Pse duan Shqipëria, Bullgaria dhe Kosova t’i bashkohen këtij organi të diskutueshëm?
Të tre shtetet kanë motive krejtësisht të ndryshme. Të gjitha kërkojnë afrimin me SHBA-në, sepse shpresojnë të përfitojnë prej saj. Të tre shtetet janë edhe në faza të ndryshme: Në Shqipëri, parlamenti e ka miratuar tashmë anëtarësimin. Në Kosovë kjo pritet të ndodhë së shpejti. Në Bullgari, në pranverë duhet fillimisht të zgjidhet një parlament i ri. Nëse ky do ta miratojë anëtarësimin, mbetet e pasigurt.

Cilat janë motivet e Shqipërisë?
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka kërkuar që herët afrimin me Trumpin. Vajza e Trumpit, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po ndërtojnë në ishullin shqiptar të Sazanit fshatra luksoze pushimi me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë. Në tetor, Rama u filmua duke u tallur me Trumpin, i cili në një fjalim kishte ngatërruar vendet Shqipëri dhe Armeni. Tallja bëri xhiron e botës dhe Rama ka të paktën një arsye më shumë për të kërkuar sërish favorin e Trumpit.

Pse dëshiron Bullgaria t’i bashkohet Bordit të Baqes?
Bullgaria ka vetëm një rafineri nafte. Ajo i përket koncernit rus Lukoil. Kundër këtij janë vendosur sanksione nga SHBA-ja. Bullgaria ka frikë nga mungesa e benzinës dhe ka nevojë për mbështetjen e Trumpit. Po aq e rëndësishme: Deljan Peevski, kryetar i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS), është një magnat mediatik dhe një nga oligarkët më të fuqishëm të Bullgarisë. Pasuria e tij në SHBA është ngrirë për shkak të akuzave për korrupsion. Ai ka nevojë për Trumpin për të rifituar aksesin në paratë e tij.

Pse anëtarësimi në Bullgari është veçanërisht i diskutueshëm?
Kërkesa për anëtarësim u vendos nga një qeveri, kryeministri i së cilës, Rossen Scheljaskow, kishte dhënë dorëheqjen që në dhjetor. Megjithatë, Scheljaskow përfaqësoi Bullgarinë në themelimin e Bordit të Baqes më 22 janar në Davos. Vetëm atje njerëzit në Bullgari mësuan se vendi i tyre do të ishte një nga dy vendet e BE-së (tjetri është Hungaria) që do të nënshkruanin dokumentin themelues. Deri më sot është e paqartë kush e mori vendimin dhe çfarë ka negociuar Bullgaria.

Pse dëshiron Kosova të anëtarësohet?
Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Serbia e ka penguar deri tani këtë anëtarësim. “Me Bordin e Baqes tani ekziston një organizatë, në të cilën ne kosovarët trajtohemi si të barabartë, jo si në BE dhe OKB”, thotë politologu kosovar Leart Hoxha. Për Kosovën, mbrojtja e SHBA-së ka rëndësi ekzistenciale. SHBA-ja (përkatësisht NATO) me ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën e Kosovës në vitin 1999 bëri të mundur themelimin e shtetit të Kosovës.

Artikulli i SFR: Warum drängen Balkanstaaten in Donald Trumps «Friedensrat»?