STUDIMI/ 2-3 kafe në ditë lidhen me më pak rrezik demence – por shkencëtarët paralajmërojnë: nuk është “ilaç”

Një studim i realizuar nga ekspertë të Universiteti i Harvardit sugjeron se konsumimi i moderuar i kafesë me kafeinë mund të lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës.

Sipas studiuesit Yu Zhang nga Shkolla e Shëndetit Publik, personat që pinë rreth dy deri në tre filxhanë kafe në ditë kanë më pak gjasa të preken nga kjo sëmundje krahasuar me ata që nuk e konsumojnë fare. Demenca mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale, për të cilën ende ekzistojnë pak trajtime efektive.

Studimi përfshiu rreth 131 mijë profesionistë shëndetësorë në SHBA, të ndjekur për afro 43 vite. Gjatë kësaj periudhe u identifikuan mbi 11 mijë raste të demencës. Analiza tregoi se konsumuesit e kafesë me kafeinë kishin rreth 18% më pak rrezik, ndërsa ata që pinin çaj rreth 16% më pak.

Nga ana tjetër, kafeja pa kafeinë nuk rezultoi të kishte të njëjtin efekt mbrojtës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet tregojnë vetëm një lidhje statistikore dhe jo shkak të drejtpërdrejtë. Studiuesit paralajmërojnë se faktorë të tjerë si gjumi, shëndeti kardiovaskular apo stili i jetesës mund të ndikojnë si në konsumimin e kafeinës, ashtu edhe në shëndetin e trurit.