REAGIM/ Berisha sulmon Ramën: Po ndërton “mburojë ligjore” për veten – thirrje për protestë më 20 shkurt

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi një nismë ligjore që lidhet me pezullimin nga detyra të ministrave në rast hetimi.

Në një videomesazh në rrjetet sociale, Berisha e akuzoi Ramën se po përpiqet të krijojë një mbrojtje ligjore personale për të shmangur përgjegjësinë penale apo pezullimin nga detyra. Sipas tij, pretendimi për funksione “të padelegueshme” bie ndesh me praktikën shtetërore dhe dispozitat kushtetuese, pasi kompetencat mund të delegohen dhe ekzistojnë vendime të shumta të firmosura nga zëvendësministra me autorizim.

Ai theksoi se edhe Kushtetuta parashikon zëvendësimin e funksioneve në raste mungese, duke e cilësuar nismën si një veprim të paprecedentë për të mbrojtur postin e kryeministrit nga ndërhyrja e drejtësisë.

Në fund të deklaratës, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 20 shkurtit në Tiranë, duke e paraqitur atë si një mobilizim qytetar kundër qeverisë. Ai e cilësoi tubimin si përpjekje për të “shpëtuar vendin nga regjimi i drogës dhe korrupsionit”, ndërsa akuzoi Ramën për sulme verbale ndaj protestuesve.

https://www.facebook.com/share/v/1CUSDCm2ef/?mibextid=wwXIfr