REFLEKTIMI/ Italia pranon ftesën për Bordin e Paqes Meloni konfirmon pjesëmarrjen si vëzhguese, prania evropiane e domosdoshme

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, njoftoi se Italia do të marrë pjesë në Bordin e Paqes, por vetëm si vend vëzhgues, duke kapërcyer shqetësimet kushtetuese që kishte përmendur tre javë më parë, raportojnë mediat italiane.

“Ne u ftuam si vend vëzhgues dhe kjo është një zgjidhje e mirë për çështjet kushtetuese që lidhen me pjesëmarrjen në Bord,” tha Meloni për gazetarët. Ajo shtoi se Italia do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, edhe pse niveli i pjesëmarrjes duhet të përcaktohet ende, pasi ftesa mbërriti vetëm dje.

Sipas kryeministres, pas gjithë përpjekjeve të bëra nga Italia për stabilizimin e Lindjes së Mesme, një prani italiane dhe evropiane është e domosdoshme.

Takimi i parë zyrtar i Bordit të Paqes do të zhvillohet më 19 shkurt në Uashington, me pjesëmarrjen e të paktën njëzet vendeve. Donald Trump pritet të njoftojë një plan rindërtimi me vlerë disa miliardë dollarë për Rripin e Gazës.