Alarm për sigurinë e Altin Dumanit! – Garda e Republikës nuk zbatoi vendimin për rritjen e truprojave

Dy javë pas vendimit të Komisionit të Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për rritjen e masave të sigurisë për ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin, burime nga Euronews Albania konfirmojnë se Garda e Republikës nuk ka zbatuar ende urdhrin.

Pavarësisht kërkesës së kreut aktual të SPAK, Klodjan Braho, për të forcuar sigurinë fizike të ish-drejtuesit dhe disa prokurorëve të tjerë që trajtojnë çështje të ndjeshme me ndikim të lartë publik, numri i truprojave të Dumanit mbetet i pandryshuar.

Ndryshe nga Garda e Republikës, Policia e Shtetit ka vijuar të sigurojë shoqërimin e Dumanit sipas nevojës, duke garantuar të paktën mbrojtjen minimale. Për sa i përket Gardës, ajo ka refuzuar të japë detaje mbi masat e marra, duke argumentuar se informacioni mbi organikën dhe efektivët e angazhuar është “sekret shtetëror”.

Vendimi për rritjen e sigurisë ishte marrë në fund të janarit, pas kërkesës së kreut të SPAK, për të garantuar mbrojtjen e prokurorëve që trajtojnë çështje të ndërlikuara dhe me ndikim publik, por deri tani duket se urdhri mbetet vetëm në letër.

Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e mekanizmave të sigurisë për ish-drejtorët e institucioneve të larta dhe mbrojtjen e tyre ndaj kërcënimeve të mundshme.