Deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për një “rend të ri botëror” dominuan nisjen e Munich Security Conference, duke nxitur një reagim të drejtpërdrejtë nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Në fjalën e tij hapëse, Merz i bëri thirrje Uashingtonit që të punojë ngushtë me Evropën për të rikthyer besimin dhe për të forcuar marrëdhëniet transatlantike. Ai theksoi se as SHBA dhe as Evropa nuk mund të jenë të forta nëse përballen të vetme me sfidat globale që vijnë nga Kina, Rusia dhe Irani.
“Për tre breza, besimi mes aleatëve e ka bërë NATO aleancën më të fortë në histori. Në epokën e rivalitetit mes fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk janë aq të forta sa të veprojnë të vetme. NATO nuk është vetëm avantazh për Evropën, por edhe për SHBA-në. Le ta ringjallim së bashku besimin transatlantik,” u shpreh ai.
Megjithatë, kancelari pranoi hapur se ekziston një thyerje në raportet mes SHBA-së dhe Evropës. Duke iu referuar deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance një vit më parë në Mynih, Merz theksoi se dallimet në vlera janë bërë të dukshme.
“Lufta kulturore e lëvizjes MAGA në SHBA nuk është e jona. Liria e fjalës përfundon kur cenon dinjitetin njerëzor dhe kushtetutën. Ne besojmë në tregtinë e lirë, jo në tarifa dhe proteksionizëm, dhe mbështesim marrëveshjet për klimën dhe organizatat globale të shëndetit,” deklaroi ai.
Merz paralajmëroi gjithashtu se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla nuk funksionon më si më parë dhe se Evropa duhet të jetë e gatshme të bëjë sakrifica përballë aktorëve globalë që synojnë të imponojnë forcën mbi normat.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur marrëdhëniet transatlantike po përballen me tensione të reja dhe kur sfidat globale kërkojnë, sipas tij, një front të bashkuar mes dy brigjeve të Atlantikut.









