“S’na la gjë pa thënë” – Rama sfidon Dashnor Sulën pas emërimit: Tani e ka radhën të provojë veten

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Kryeinspektorin e Përgjithshëm, ish-deputetin e Partisë Demokratike Dashnor Sula, në kuadër të fazës së re të reformës së sistemit të inspektimeve.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi formimin juridik dhe eksperiencën e Sulës në sistemin e drejtësisë, por nuk la pa përmendur përplasjet e mëparshme mes tyre në Parlament. Me një ton sfidues, kreu i qeverisë theksoi se ish-deputeti demokrat tani do të ketë mundësinë të tregojë në praktikë atë që ka artikuluar ndër vite nga opozita.

“Kryeinspektori vjen nga politika, por ka qenë protagonist në sistemin e drejtësisë dhe ka formimin e duhur për këtë detyrë. Por ka edhe sfida – ato që i ka thënë në Parlament, tani duhet t’i adresojë në praktikë,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se Shqipëria është një vend i vogël dhe ndarjet politike janë të natyrshme, por kur bëhet fjalë për shtetin dhe objektivat kombëtare, bashkëpunimi është i domosdoshëm.

Në fund, Rama e cilësoi emërimin si një “sfidë personale”, duke kujtuar se Sula nuk e ka kursyer me kritika gjatë mandatit të tij si deputet.

“Tani të shohim si do t’i bëjë detyrat për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë. Të kalosh nga teoria në praktikë është si të kalosh nga poezia tek romani,” tha kryeministri.