Pa buxhet të ri – Kuvendi i Kosovës zgjat financimin edhe për marsin – 99 vota pro për të shmangur bllokimin e pagave

Kuvendi i Kosovës ka miratuar zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars, duke përdorur fondet e vitit të kaluar për të garantuar funksionimin normal të shtetit.

Propozimi i Qeverisë mori mbështetjen e 99 deputetëve, ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se masa është e domosdoshme për shkak të mosmiratimit ende të buxhetit të ri për vitin 2026. Sipas tij, zgjatja shmang ndërprerjen e pagave për punonjësit e sektorit publik dhe pagesave të tjera buxhetore.

Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që shteti mbështetet në zgjatje buxhetore. Në nëntor të vitit të kaluar u aktivizua një nen i Ligjit për menaxhimin e financave publike, i cili lejon financim të përkohshëm në rast se zgjedhjet zhvillohen më pak se katër muaj para fillimit të vitit të ri fiskal.

Ndërkohë, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka proceduar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2026, i cili parashikon shpenzime rreth 4 miliardë euro. Dokumenti ende nuk është shqyrtuar nga legjislatura e re.

Gjatë seancës së parë, deputetët miratuan gjithashtu përbërjen e 16 komisioneve parlamentare, duke shënuar nisjen zyrtare të punës së Kuvendit në këtë mandat të ri.