Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po hyn në një fazë të re politike. Pas më shumë se dy dekadash në krye të partisë, Ramush Haradinaj ka njoftuar se nuk do të rikandidojë për postin e kryetarit, duke hapur rrugë për një garë të re brenda AAK-së.
Vendimi u bë publik pas mbledhjes së 177-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku u miratuan strukturat zgjedhore dhe u shpall zyrtarisht procesi i zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e partisë. Sipas Haradinajt, procesi nis më 20 shkurt dhe përmbyllet më 6 qershor, në përputhje me afatet statutore katërvjeçare.
Haradinaj theksoi se tërheqja e tij lidhet si me kohëzgjatjen e gjatë në drejtim – që nga maji i vitit 2000 – ashtu edhe me rezultatin jo të kënaqshëm në zgjedhjet e fundit. Ai e cilësoi këtë si moment reflektimi dhe hapje për ndryshim brenda Aleancës.
Ndërkohë, ambicien për të marrë drejtimin e partisë e ka shpallur kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili pritet të jetë një nga figurat kryesore në garën për kreun e AAK-së.
Haradinaj sqaroi gjithashtu se nuk është kandidat për president të vendit, duke lënë të kuptohet se do ta shqyrtonte një mundësi të tillë vetëm nëse do të kishte një kërkesë të drejtpërdrejtë nga deputetët në Parlament.
Me këtë vendim, AAK hyn në një proces riorganizimi të brendshëm, që pritet të përcaktojë drejtimin e saj politik për vitet e ardhshme.









