Kriza në Downing Street po thellohet. Zyrtari më i lartë i qeverisë britanike, Sir Chris Wormald, ka rënë dakord me kryeministrin Keir Starmer për të dhënë dorëheqjen, duke u bërë figura e tretë e rëndësishme që largohet brenda pak ditësh nga rrethi i ngushtë i kryeministrit.
Largimi i Wormald vjen në kulmin e polemikave të forta të shkaktuara nga emërimi i Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA – një vendim që ka ndezur debat të ashpër për shkak të lidhjeve të mëparshme të Mandelson me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Në një deklaratë publike, Starmer falënderoi Wormald për “më shumë se 35 vite shërbim të shquar publik” dhe konfirmoi se kanë rënë dakord që ai të largohet menjëherë nga posti i Sekretarit të Kabinetit – roli më i lartë në shërbimin civil britanik, që drejton administratën e përhershme jopolitike të qeverisë. Wormald ishte emëruar në këtë detyrë vetëm në dhjetor 2024.
Dorëheqja e tij pason largimin e dy figurave kyçe të ekipit të Starmer: Morgan McSweeney, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, dhe shefit të komunikimit Tim Allan. Të dy u tërhoqën pas publikimit të dosjeve të reja që zbuluan detaje mbi marrëdhënien mes Mandelson dhe Epstein, duke shtuar presionin politik mbi qeverinë.
Ndërkohë, Starmer ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht se kjo situatë konsiderohet si sfida më e madhe politike që nga marrja e detyrës.
Mandelson, nga ana e tij, ka mohuar të kujtojë ndonjë pagesë nga Epstein dhe nuk ka dhënë komente të detajuara mbi akuzat që kanë dalë në publik.
Me tre largime brenda pak ditësh dhe me një çështje që vazhdon të prodhojë tituj, qeveria britanike përballet me një test serioz stabiliteti – ndërsa opozita kërkon më shumë transparencë mbi emërimet dhe lidhjet e figurave të larta me skandale të së kaluarës









