Një tryezë opozitare që pretendon “bashkim historik” u mbyll me shumë fjalë të mëdha, por me pak qartësi. Rreth 15 parti politike dhe një lëvizje qytetare thuhet se janë rreshtuar në një platformë të përbashkët kundër qeverisë, por publiku mbetet në errësirë për emrat konkretë dhe përbërjen reale të këtij koalicioni. Pyetja nëse mes tyre janë figura si Kujtim Gjuzi apo Selami Jenisheri mbeti pa përgjigje.
Politologu Ermal Hasimja doli si zëdhënës i tryezës, duke shpallur se palët kanë rënë dakord për disa “shtylla themelore” bashkëpunimi. Në thelb, mesazhi ishte i qartë: kundërshtim frontal ndaj çdo ndryshimi ligjor që, sipas tyre, dobëson drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe mbështetje për një sistem drejtësie të bazuar në standarde perëndimore.
Një tjetër pikë kyçe është tentativa për një front të përbashkët mbi Kodin Zgjedhor. Për herë të parë, sipas Hasimes, synohet që çdo propozim i Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore të jetë i “rakorduar” me partitë e tjera të tryezës – një lëvizje që synon të shmangë përçarjet e zakonshme brenda opozitës.
Por thelbi politik i nismës është kërkesa për krijimin e një qeverie tranzitore ose kujdestare, që do të kishte si mision garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe duke frenuar, sipas tyre, përdorimin e administratës shtetërore dhe ndikimin e krimit në procesin zgjedhor.
Tryeza përfundoi edhe me një thirrje të përbashkët për protestën kombëtare të opozitës më 20 shkurt, e paraqitur si një mobilizim jo vetëm partiak, por qytetar. Ftesa, sipas organizatorëve, u drejtohet të gjithë atyre që ndihen të goditur nga qeverisja aktuale.
Megjithatë, përtej deklaratave për unitet, mungesa e transparencës mbi përbërjen e plotë të këtij grupimi lë hapësirë për dyshime: sa real është ky “front i madh opozitar” dhe sa është thjesht një bashkim në letër që do të testohet në shesh dhe në veprime konkrete.









