Tragjike në Filipine – Influencuesja humb jetën pasi konsumoi gaforre toksike për një video në rrjetet sociale

Një 51-vjeçare nga Filipinet, e njohur për përmbajtje mbi ushqimet e detit në rrjetet sociale, ka humbur jetën pasi konsumoi një specie të rrezikshme gaforreje që e kishte përgatitur për një video.

Më 4 shkurt, Emma Amit publikoi pamje ku shfaqej duke gatuar produkte deti së bashku me miqtë, pasi kishin peshkuar pranë banesës së saj në Puerto Princesa. Në video, ajo shihej duke provuar ushqime të ndryshme, ndërsa molusqet dhe butakët zjenin në një tenxhere me qumësht kokosi.

Një ditë më vonë, gruaja u ndje keq pas konsumimit të një gaforreje të njohur për toksicitetin e saj në zonat shkëmbore. Sipas raportimeve lokale, helmimi u përhap shpejt në organizëm, duke i shkaktuar gjendje të rëndë shëndetësore. Fqinjët raportuan se ajo po dridhej dhe u transportua me urgjencë drejt një qendre shëndetësore.

Gjendja e saj u përkeqësua me shenja të rënda, përfshirë nxirjen e buzëve dhe humbjen e ndjenjave. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore në spital, ajo ndërroi jetë dy ditë më vonë.

Kryetari i fshatit Luzviminda, Landi Jemang, konfirmoi se dyshohet që vdekja lidhet me konsumimin e të ashtuquajturave “gaforre djallëzore”, duke theksuar se në banesën e saj u gjetën guaska me ngjyra të forta, karakteristike për specie detare potencialisht helmuese. Ai shtoi se u gjetën disa ekzemplarë dhe se identifikimi i saktë i tyre mbetet thelbësor për të kuptuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Rasti ka rikthyer vëmendjen mbi rrezikun e konsumimit të specieve detare të panjohura, sidomos kur përgatiten jashtë kontrollit të specialistëve.