Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shtyrë shqyrtimin e çështjes së pagave të gjyqtarëve, duke përdorur tone kritike ndaj sistemit gjyqësor.
Në një postim në rrjetin social X, Rama lidhi debatin për pagat me vendime të mëparshme gjyqësore që, sipas tij, kanë rënduar buxhetin e shtetit. Ai deklaroi se gjykatat kanë dhënë vendime në favor të 92 ish-gjyqtarëve apo prokurorëve të shkarkuar nga procesi i vettingut, duke i trajtuar financiarisht si të dëmshpërblyer dhe jo si të fajshëm.
Sipas kryeministrit, këto vendime kanë sjellë një kosto prej rreth 12 milionë eurosh për buxhetin, ndërsa ai pretendon se në disa raste urdhrat e ekzekutimit janë dhënë para se vendimet të merrnin formë të prerë, duke detyruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore të kryejë pagesat nga fondet e pensioneve.
Rama paralajmëroi se numri i përfituesve mund të rritet dhe shuma financiare të jetë edhe më e lartë, duke e cilësuar situatën si “pavarësi e papërgjegjshme”.
Deklarata e tij vjen në një moment kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë më shumë kohë për shqyrtimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për ndryshimin e formulës së pagave, një çështje që ka hapur debat të gjerë mbi balancën mes pavarësisë së gjyqësorit dhe ndikimit financiar në buxhetin e shtetit.









