LIGJ I RI/ Meloni ashpërson kursin ndaj emigracionit – Propozon “bllokadë detare” në ujërat italiane

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka paraqitur një paketë të re masash më të rrepta për emigracionin, e cila synon të harmonizojë legjislacionin italian me paktin e ri evropian për migracionin. Propozimet u prezantuan në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe për të hyrë në fuqi duhet të miratohen nga Parlamenti.

Sipas planit, në rast të kërcënimeve serioze ndaj rendit publik ose sigurisë kombëtare, qeveria italiane do të ketë të drejtë të ndalojë përkohësisht hyrjen e mjeteve lundruese në ujërat territoriale të vendit. Vendimi do të merret nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit të Brendshëm dhe masa mund të zgjasë nga një deri në gjashtë muaj.

Mediat italiane raportojnë se shkelja e kësaj “bllokade detare” do të ndëshkohet me gjoba nga 10 mijë deri në 50 mijë euro. Në rast përsëritjeje me të njëjtën anije, parashikohet edhe konfiskimi i mjetit lundrues.

Ndërkohë, migrantët që tentojnë të hyjnë në ujërat italiane gjatë periudhës së ndalimit mund të transferohen në vende të treta, me të cilat Italia ka marrëveshje të posaçme. Qëllimi është që emigrantët e parregullt dhe azilkërkuesit të strehohen në qendra të mbyllura jashtë Bashkimit Evropian dhe më pas të riatdhesohen në vendet e origjinës.

Paketa pritet të shqyrtohet dhe votohet në Dhomën e Deputetëve dhe në Senatin italian në javët në vijim.