Masakër në shkollë edhe në Rusi – 17 vjeçari hap zjarr – 1 i vdekur dhe 3 të plagosur

Një person ka humbur jetën dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një institucion arsimor në Anapa, Rusi.

Sipas raportimeve nga mediat lokale, autori i dyshuar është një student 17-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga forcat e sigurisë. Ai dyshohet se kishte hyrë në shkollë me një pushkë të marrë nga një i afërm.

Roja e shkollës, që e vuri re i pari dhe njoftoi policinë, tentoi ta ndalonte, por u qëllua për vdekje. Të paktën tre persona të tjerë mbetën të plagosur gjatë incidentit.

Autoritetet thanë se i dyshuari u ndalua nga oficerët e Rosgvardiya. Sipas mediave ruse, në një postim në rrjetet sociale para ngjarjes, ai kishte paralajmëruar për dhunë. Hetimet janë në vijim për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plota.

Guvernatori i rajonit Krasnodar e cilësoi ngjarjen një “krim të rëndë” dhe falënderoi forcat e rendit për reagimin e shpejtë, duke theksuar se ndërhyrja e tyre shmangu pasoja edhe më të rënda.