Një tjetër dramë e rëndë njerëzore ka goditur Ukrainën. Një baba 34-vjeçar dhe tre fëmijë të vegjël – dy djem vetëm 1 vjeç dhe një vajzë 2 vjeçe – u vranë pasi një dron rus goditi shtëpinë ku ata po qëndronin në qytetin Bohodukhiv, në perëndim të Kharkivit.
Lajmin e bëri të ditur Oleg Synegubov, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kharkivit, i cili përshkroi një skenë shkatërrimi që i shtohet bilancit tragjik të viktimave civile. Nga sulmi mbetën të plagosura edhe një grua shtatzënë 35-vjeçare dhe një e moshuar 76-vjeçare.
Goditja erdhi të martën në mbrëmje, në një moment kur Moska ka rifilluar valën e sulmeve pas një pauze njëjavore.
Dhuna nuk u ndal me kaq. Në Slovyansk, forcat ruse hodhën shtatë bomba rreth mesditës së së martës, duke vrarë dy persona, mes tyre një vajzë 11-vjeçare, sipas guvernatorit të Donetskut, Vadym Filashkin.
Vetëm një ditë më parë, sulmet me dronë gjatë natës lanë dhjetëra mijëra persona pa energji elektrike në të gjithë vendin dhe shkaktuan të paktën katër viktima të tjera, përfshirë një nënë dhe djalin e saj 10-vjeçar – sërish në Bohodukhiv.
Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme energjetike në rajonin e Kharkivit, ndërsa situata është përkeqësuar pas përfundimit të ashtuquajturit “armëpushim energjetik”, që synonte të mbronte infrastrukturën gjatë temperaturave ekstreme deri në -20°C.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se SHBA synon përfundimin e luftës deri në qershor dhe se palët janë ftuar për bisedime javën e ardhshme, por në terren realiteti mbetet i pamëshirshëm.
Ndërkohë, mediat ruse raportuan për një sulm masiv me dronë ukrainas në rajonin e Volgogradit, duke treguar se spirala e përplasjes vazhdon pa shenja zbutjeje.









