“Banditë me uniformë” – Berisha shpërthen pas protestës; shpall datën e zemërimit të radhës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli mbrëmjen e kësaj të marte në një deklaratë të fortë nga selia blu, vetëm pak pas përfundimit me tensione të protestës së opozitës para Kryeministrisë.

Berisha denoncoi ashpër ndërhyrjen e forcave të rendit, duke i cilësuar efektivët si “banditë dhe kriminelë me uniformë”, që sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve protestues. Ai theksoi se, përballë kësaj situate, qëndrueshmëria dhe vetëpërmbajtja e protestuesve paqësorë ishin një tregues force, e jo dobësie.

Sipas tij, reagimi i qytetarëve nuk duhet keqinterpretuar. “Durimi i tyre nuk është frikë, por vendosmëri,” u shpreh Berisha, duke shtuar se provokatorët “mund të marrin mësimin që meritojnë”.

Në fund të deklaratës, lideri demokrat falënderoi pjesëmarrësit për, siç tha ai, qëndrimin dinjitoz gjatë tubimit dhe njoftoi se protesta e radhës do të zhvillohet më 20 shkurt, duke paralajmëruar vazhdimin e aksionit opozitar kundër qeverisë.