Tensione dhe molotovë në protestë – Koçiu: Dhuna nuk justifikohet, policia garanton rendin

Protesta e opozitës e zhvilluar këtë të martë është shoqëruar me incidente dhe përplasje mes një grupi protestuesish dhe forcave të rendit, ku raportohet edhe për punonjës policie të lënduar si pasojë e hedhjes së mjeteve të forta dhe shisheve molotov.

Pas ngjarjeve ka reaguar Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, përmes një deklarate publike në rrjetet sociale, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke vlerësuar qëndrimin e efektivëve në terren.

“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj,” shprehet Koçiu.

Ministrja falënderoi punonjësit e policisë për profesionalizmin dhe maturinë e treguar gjatë përballjes me situatën, ndërsa theksoi se strukturat e rendit do të vijojnë të jenë në krye të detyrës.

“Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe për të siguruar jetën e çdo qytetari dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private,” përfundon reagimi i saj.