PARALAJMERIMI I FORTE/ Rama njofton ndërhyrje ligjore pas vendimit të Kushtetueses për pezullimin e Ballukut

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila po hetohet për shkelje të barazisë në tendera. 

Rama tha se vendimi i Kushtetueses është rezultat i një mosmarrëveshjeje mes institucioneve dhe se qeveria do të kërkojë zgjidhje përmes ndërhyrjes në legjislacion, duke modifikuar rregullat për t’iu përgjigjur çështjeve të tilla në të ardhmen. 

Gjykata Kushtetuese, me votë të barabartë 4 me 4, nuk pranoi kërkesën e kryeministrit për të rrëzuar pezullimin e vendosur nga GJKKO, duke lënë në fuqi masën që e ndalon Ballukun të ushtrojë detyrat e saj. 

Rama e kritikoi vendimin si një shembull të keq të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe paralajmëroi se Partia Socialiste do të punojë për ndryshime ligjore që të adresojnë “konfliktet e kompetencave” mes institucioneve shtetërore. 

Postimi i plotë i Ramës

“3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga : 1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton. 2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion. 3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit. Një shtesë nga ana ime: SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, shkruan Rama.