Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Berisha e cilësoi kërkesën e Ramës si të barasvlershme me një “grusht shteti”, duke thënë se ajo përfundoi “në koshin e plehrave” së bashku me vetë autorin e saj.
“Pas 9 orësh, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Vlerësoj qëndrimin e gjykatësve që me guxim rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu Gjykatën se, sipas tij, i dha Ballukut kohë për të manipuluar prova. “Gjykata ka mëkatin e madh se i dha mbi dy muaj kohë Ballukut të falsifikojë çdo dokument. Me ndarjen 4 me 4, kërkesa e Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave bashkë me të,” tha ai.
Berisha e lidhi çështjen me procesin e integrimit europian, duke pretenduar se qëndrimet e Ramës kanë alarmuar kancelaritë europiane.
“Sot u provua se për Ramën ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë. Ai është i gatshëm të sakrifikojë çdo interes të shqiptarëve, madje edhe procesin e integrimit në BE. Me veprimet e tij, ai ka detyruar kancelaritë europiane të mos nxjerrin thjesht karton të kuq, por të shkojnë drejt një vendimi ekstrem për zhbërjen e procesit të integrimit,” deklaroi lideri demokrat.
Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë për, siç tha, qëndrimin kundër asaj që e quajti përpjekje të Ramës për ta përdorur Gjykatën Kushtetuese si “mburojë të vjedhjeve”.
Në fund, Berisha theksoi se presioni qytetar dhe protestat, sipas tij, kanë qenë vendimtare në këtë zhvillim, duke i cilësuar si “shpresa e vetme për ndryshim”.









