“S’e mbrojti dot Ballukun” – Belindi i Berishës shpall “rrëzimin” e qeverisë së Ramës së Belindës

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut, duke e cilësuar këtë zhvillim si një goditje direkte ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në reagimin e tij publik, Këlliçi deklaron se “sot u rrëzua qeveria më e korruptuar në Europë”, duke pretenduar se Kushtetuesja nuk arriti të mbrojë Ballukun për shkak të reagimit qytetar, presionit të opozitës dhe faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, vendimi përbën një mesazh të qartë se “askush nuk është mbi ligjin”.

Deputeti demokrat thekson se Rama ka marrë një goditje të fortë politike dhe ligjore, ndërsa paralajmëron për përshkallëzim të reagimit opozitar nëse mazhoranca do të pengojë më tej proceset e drejtësisë. Ai e quan vendimin e Kushtetueses “një hap drejt drejtësisë”, ndonëse – sipas tij – të vonuar dhe të marrë nën presion.

Në fund të reagimit, Këlliçi bën thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar mbështetësit e opozitës të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt në Bulevard, në atë që e konsideron si një moment përballjeje me qeverinë.