Trazohet futbolli spanjoll – Messi po përgatit rikthimin epik te Barcelona

Një rikthim që do të trondiste botën e futbollit duket se po merr formë në heshtje. Sipas “Marca”, Lionel Messi po planifikon një kthim të ardhshëm te Barcelona, duke mbajtur gjallë ëndrrën e tifozëve blaugrana për të parë sërish legjendën me fanellën katalanase.

Mediumi spanjoll raporton se ylli argjentinas e ka shprehur qartë dëshirën për t’u rikthyer në “shtëpinë” e tij futbollistike në një moment të caktuar, edhe pse ende nuk ekziston një datë konkrete. Një detaj i rëndësishëm: ky rikthim nuk do të lidhet me zgjedhjet presidenciale të klubit, duke rrëzuar zërat se emri i Messit mund të përdorej si armë politike në Barcelonë.

Aktualisht, fokusin e ka tërësisht te Inter Miami, ndërsa në horizont qëndron Kupa e Botës, që pritet të jetë e fundit në karrierën e tij. Pikërisht për këtë arsye, çdo lëvizje drejt Barcelonës është lënë për më vonë, por ideja është më e gjallë se kurrë.

Vizita e fundit e Messit në “Camp Nou” ndezi menjëherë rrjetet sociale dhe imagjinatën e tifozëve. Megjithatë, mister mbetet roli që ai mund të marrë në rikthim: si lojtar për një akt të fundit magjik, si ambasador global i klubit apo si pjesë e drejtimit të ri të Barcelonës.

Trashëgimia e tij në “Camp Nou” është monumentale: 672 gola, 303 asistime në 778 ndeshje dhe plot 35 trofe – përfshirë 10 tituj të La Liga-s dhe 4 Liga të Kampionëve. Një histori dashurie që mund të ketë ende një kapitull final… dhe tifozët mezi po presin ta lexojnë.