VENDIMI/ GJKKO shpall fajtorë tre persona për ndikim të paligjshëm mbi zyrtarë të drejtësisë – mes tyre ish-shefi i komisariatit Erion Dani

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 177/1 ndaj tre të pandehurve: Musa Gjikola, Erion Dani dhe Vilson Roçi.

Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar dhe më 5 shkurt 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga Rudina Palloj, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi, shpalli vendimin përfundimtar.

Sipas vendimit të gjykatës, Musa Gjikola u shpall fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (episodi i parë) dhe u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim. Pas aplikimit të uljes prej një të tretes, ai do të vuajë 1 vit burgim, dënim që nis nga data e arrestimit, më 11 korrik 2025.

Erion Dani u shpall fajtor për dy episode të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” dhe u dënua fillimisht me nga 2 vite burgim për secilin episod. Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me 1/3, dënimi përfundimtar ndaj tij është 2 vite burgim, duke filluar nga data e arrestimit, 11 korrik 2025. Ndërkohë, Dani u shpall i pafajshëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Edhe Vilson Roçi u shpall fajtor për dy episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë. Ai u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim për secilin episod, ndërsa pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me 1/3, dënimi përfundimtar është 1 vit burgim, që nis nga data e arrestimit, më 11 korrik 2025.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të përballohen solidarisht nga të pandehurit e shpallur fajtorë. Zbatimi i vendimit i është ngarkuar SPAK-ut, ndërsa palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve nga shpallja e vendimit.