Kina ka reaguar kundër planit të Shteteve të Bashkuara për krijimin e një blloku tregtar preferencial mes vendeve aleate për mineralet kritike, duke e cilësuar si një qasje që dëmton rendin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar.
Gjatë një konference të rregullt për shtyp në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, deklaroi se Pekini kundërshton çdo veprim që, sipas tij, minon sistemin global të tregtisë përmes rregullave të vendosura nga “grupe të vogla” shtetesh.
“Ruajtja e një mjedisi ndërkombëtar tregtar të hapur, gjithëpërfshirës dhe me përfitim të ndërsjellë është në interesin e përbashkët të të gjitha vendeve”, u shpreh Lin Jian.
Reagimi i Kinës vjen pasi Uashingtoni bëri publik planin për thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë në fushën e mineraleve kritike, burime kyçe për teknologjinë e avancuar dhe tranzicionin energjetik. Pekini e sheh këtë nismë si një përpjekje për të kufizuar ndikimin e tij në zinxhirët globalë të furnizimit.









