Drejtësia amerikane ka dhënë verdikt të prerë: burgim i përjetshëm për 59-vjeçarin Ryan Routh, i shpallur fajtor për tentativë vrasjeje ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ngjarja tronditëse ndodhi në shtator 2024 në Florida dhe konsiderohet një nga incidentet më të rënda të sigurisë ndaj një presidenti amerikan në vitet e fundit.
Routh u arrestua pranë Trump International Golf Club në West Palm Beach, pasi një agjent i Shërbimit Sekret dalloi armën që ai mbante dhe reagoi menjëherë. I dyshuari u përpoq të largohej nga vendi i ngjarjes, por u kap pak më vonë nga autoritetet, duke i shpëtuar kështu një atentati që mund të kishte pasoja historike.

Gjatë procesit gjyqësor, ai zgjodhi të vetëmbrohej dhe këmbënguli në pafajësi, por sjellja e tij në sallën e gjyqit ngriti shqetësime serioze. Routh sfidoi Trumpin për një lojë golfi, bëri deklarata të çuditshme duke përmendur Adolf Hitlerin dhe Vladimir Putinin, dhe pas shpalljes fajtor nga juria, tentoi të vetëlëndohej me një stilolaps — një moment kaotik që u neutralizua menjëherë nga efektivët e sigurisë.
Ky ishte atentati i dytë ndaj Trump në vitin 2024. I pari ndodhi në korrik gjatë një mitingu elektoral në Butler, Pensilvani, ku pati viktima dhe të plagosur, përfshirë edhe vetë Trumpin. Autori i atij sulmi, 20-vjeçari Thomas Crooks, u vra në vendngjarje nga forcat e sigurisë.
Dënimi i përjetshëm i Routh mbyll një kapitull të errët, por nënvizon edhe një realitet alarmues: kërcënimet ndaj figurave më të larta politike në SHBA po bëhen gjithnjë e më të rënda.









