AKSIDENT AJROR/ Avion i vogël rrëzohet në Greater Manchester – dy persona në bord

Një avion i lehtë është rrëzuar në zonën e Greater Manchester në Angli, kanë konfirmuar autoritetet lokale. Sipas të dhënave paraprake, në bord ndodheshin dy persona në momentin e aksidentit.

Ngjarja ka ndodhur pranë Littleborough, ndërsa shërbimet e emergjencës mbërritën me shpejtësi në vendngjarje. Policia e Greater Manchester bëri të ditur se ekipet janë duke punuar për të sqaruar rrethanat e plota të rrëzimit dhe për të verifikuar gjendjen e personave të përfshirë.

Zona është rrethuar me perimetër sigurie dhe qytetarëve u është kërkuar të shmangin kalimin pranë vendit të incidentit, për të mos penguar operacionet e shpëtimit dhe hetimet.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale duket se tregojnë një parashutë të verdhë të mbështjellë pjesërisht rreth bazës së një shtylle elektrike, çka sugjeron se mjeti mund të ketë qenë një avion ultra i lehtë ose pajisje ajrore rekreative.

Dega britanike për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (AAIB) konfirmoi se është njoftuar për incidentin e ndodhur më 3 shkurt pranë Rochdale, në Greater Manchester. Një hetim zyrtar ka nisur dhe një ekip specialistësh është nisur drejt zonës për të analizuar shkaqet e aksidentit.