TALLJA ME REFORMAT/ PS vijon me tjetër ultimatum për Territorialen: “Keni afat deri në darkë” – PD ja kthen me akuza: “Me ju nuk bëhen reforma”!

Seanca parlamentare u kthye në një përplasje të ashpër politike për Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, ku mazhoranca socialiste vendosi përballë opozitën me një afat të prerë: ose merrni pjesë, ose ndryshojmë rregullat e lojës.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Luçiano Boçi akuzoi PS-në se po e përdor shumicën e votave për të kapur komisionin, edhe pse – sipas tij – është vendosur paritet mes palëve. Ai e quajti “të turpshëm” ultimatumin e socialistëve dhe deklaroi se opozita nuk pranon presion.

“Reformat nuk bëhen me imponim. Nuk ka pasur marrëveshje, por vetëm ultimatum. Nuk ka pasur konsultim për drejtimin e komisionit. Kjo është shkelje e paritetit,” u shpreh Boçi, duke paralajmëruar se beteja do të vazhdojë edhe jashtë Kuvendit, me protesta.

PD e cilëson procesin të njëanshëm, të paligjshëm dhe farsë politike, ndërsa thekson se vendimet në një komision me bashkëkryetarë duhet të merren me dakordësi, jo me forcën e kartonit.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, reagoi me tone të forta duke akuzuar opozitën për lëkundje të vazhdueshme në qëndrime.

“Vendosni deri në darkë: do të merrni pjesë apo jo? Nëse vini, nuk ndryshojmë asgjë. Nëse jo, do të veprojmë dhe do të ndryshojmë formulën e komisionit,” deklaroi Balla.

Mazhoranca paralajmëron se në rast bojkoti, do të marrë drejtimin e plotë të komisionit, duke hequr praktikisht balancën me opozitën.

Situata e krijuar sinjalizon një tjetër përplasje të fortë politike, ku Reforma Territoriale po hyn në fazë krize, ndërsa palët duken më larg se kurrë nga një konsensus.