TORINO NE FLAKE/ Protesta degjeneron në dhunë – digjet makina e policisë dhe rrihet brutalisht një efektiv

Qyteti i Torinos është kthyer në skenë kaosi, pasi një protestë solidarizuese me qendrën sociale Askatasuna degjeneroi në përplasje të ashpra me policinë dhe akte të rënda dhune në rrugë.

Mijëra persona dolën në demonstratë, por situata doli shpejt jashtë kontrollit. Protestuesit hodhën gurë dhe objekte të forta drejt forcave të rendit, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Një automjet i policisë u përfshi nga flakët mes tensionit, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për ta shuar zjarrin. Zona u mbulua nga tymi, sirenat dhe përplasjet fizike.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momente tronditëse: një grup protestuesish rrethon një efektiv policie dhe e sulmon brutalisht, duke përdorur edhe mjete të forta, mes tyre raportohet edhe një çekiç. Efektivi mbetet i shtrirë në tokë ndërsa turma shpërndahet në panik.

Organizatorët kishin planifikuar tre grumbullime të ndara – në Piazza XVIII Dicembre, Porta Nuova dhe Palazzo Nuovo – të cilat më pas u bashkuan në Piazza Vittorio, për të marshuar drejt Corso Regina Margherita, aty ku shpërtheu edhe dhuna më e fortë.

Autoritetet italiane pritet të nisin hetime për episodet e dhunës, ndërsa tensionet politike rreth zbrazjes së Askatasuna-s duket se po përshkallëzohen rrezikshëm.