Protesta e organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt ka marrë një ngjyrim të ri politik, pasi në tubim u shfaq edhe deputeti demokrat Besart Xhaferri, i cili e pranoi hapur se pjesëmarrja e tij nuk ishte rastësi, por me miratimin e Sali Berishës.
Nga bulevardi, Xhaferri konfirmoi se kishte “dritën jeshile” nga lideri i PD për t’iu bashkuar protestës, duke e cilësuar këtë si një fazë të re afrimi mes forcave opozitare, ndonëse jo ende një koalicion formal.
“Patjetër që zoti Sali Berisha konfirmoi që ne, nëse kemi dëshirë, mund t’i bashkohemi protestës,” u shpreh ai, duke theksuar se objektivi i përbashkët mbetet largimi i Edi Ramës nga pushteti.
Sipas Xhaferrit, opozita ndodhet në një “fazë primitive bashkimi”, ku po kërkohet ndërtimi i kushteve të qarta politike: qeveri tranzitore, reformë e re zgjedhore dhe reformë territoriale. Ai theksoi se pavarësisht dallimeve programore, “ndasitë janë shumë herë më të vogla se qëllimi i përbashkët”.
Deputeti demokrat përdori edhe tone të forta mobilizuese, duke deklaruar se opozita dhe shoqëria civile duhet të “zaptojnë bulevardin” dhe se protesta nuk duhet të ndalet deri në largimin e kryeministrit.
Deklarata e tij shihet si një sinjal i qartë politik: Berisha po teston afrimin me grupimet e tjera opozitare përmes njerëzve të tij, duke dërguar “emisarë” në terren, ndërsa ruan distancën zyrtare.









