Gaza nën zjarr – mbi 30 të vrarë nga sulme masive ajrore izraelite

Rripi i Gazës u godit të shtunën nga një seri sulmesh ajrore të ushtrisë izraelite, ku sipas autoriteteve lokale kanë humbur jetën të paktën 31 persona, mes tyre gra dhe fëmijë. Një nga goditjet më të rënda ka prekur një tendë ku ishin strehuar civilë të zhvendosur në qytetin jugor të Khan Younis.

Ushtria izraelite deklaroi se operacionet u ndërmorën pas asaj që e cilësoi si shkelje të armëpushimit nga Hamasi. Nga ana tjetër, grupi palestinez i ka përshkruar sulmet si më të ashprat që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja në tetor, duke akuzuar Izraelin për përshkallëzim të situatës. Të dyja palët vijojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për prishjen e marrëveshjes.

Forcat izraelite thanë se kanë goditur “objektiva të Hamasit”, përfshirë tunele nëntokësore, komandantë dhe depo armësh. Ndërkohë, Hamasi i dënoi ashpër sulmet dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara për ndërhyrje të menjëhershme, duke i cilësuar zhvillimet si një “luftë brutale kundër Rripit të Gazës”.