E TRISHTE/ Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare aktori Fitim Makashi, babai i Redon Makashit

Është shuar në moshën 82-vjeçare aktori i njohur shqiptar Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi. Ai ka ndërruar jetë pasditen e sotme, teksa ndodhej i shtruar në spital, pas një beteje me shëndetin.

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Për një periudhë të gjatë kontribuoi si pedagog në ILA, ndërsa paralelisht pati angazhime të vazhdueshme në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në vitin 1978 u emërua zyrtarisht aktor i këtij teatri, ku zhvilloi një karrierë të pasur artistike për rreth 12 vite, deri në mesin e viteve ’90.

Gjatë veprimtarisë së tij në skenë, Makashi realizoi një sërë rolesh që lanë gjurmë, mes të cilëve: Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës”, Telhai në “Besa” dhe Filipoviç në “Inspektori”, i cili konsiderohet edhe si një nga rolet e tij të fundit në teatër.

Karrierën në kinematografi e nisi që në vitin 1967 me një rol episodik në filmin “Dueli i heshtur”, për të vijuar më pas me një listë të gjatë filmash, si: “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegjja” (1972), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992).

Me ndarjen e tij nga jeta, arti skenik dhe kinematografia shqiptare humbin një figurë me kontribut të çmuar ndër vite.