Teherani hap derën për dialog me SHBA – Kryediplomati Iranian, Araghchi në Stamboll për bisedime kyçe

Kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, mbërriti në Stamboll për një vizitë të rëndësishme diplomatike, ku Turqia pritet të luajë rol ndërmjetësues në përpjekjet për uljen e tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtonit. Vizita vjen në një moment delikat, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar deri tani çdo veprim ushtarak ndaj Iranit.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Araghchi pritet të takohet me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, si dhe me presidentin Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të përpjekjeve për të hapur një kanal diplomatik mes palëve.

Zyrtari i lartë iranian deklaroi se Teherani është i gatshëm për rifillimin e bisedimeve me SHBA-në, por theksoi se dialogu duhet të jetë i drejtë dhe nuk duhet të prekë aftësitë mbrojtëse të Iranit.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se planifikon kontakte me Iranin, edhe pse SHBA-të kanë forcuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme duke dërguar një tjetër anije luftarake. Shefi i Pentagonit ka deklaruar se ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim të presidentit.

Sipas burimeve iraniane, një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit për rikthimin në tryezën e negociatave është kufizimi i programit iranian të raketave — një pikë që mbetet thelbësore dhe e ndjeshme për Teheranin.