Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar thirrjen për një protestë të re kombëtare, e cila sipas tij do të zhvillohet më 10 shkurt, në orën 17:00, para Kryeministrisë në Tiranë.
Në një konferencë për mediat, Berisha e cilësoi protestën si një moment vendimtar, duke theksuar se reagimi qytetar është, sipas tij, e vetmja përgjigje ndaj qeverisë.
“Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral. Revolta është rruga e daljes dhe e përmbysjes së diktaturave autokratike,” u shpreh ai.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë vendit t’i bashkohen asaj që e quajti “protesta më e fuqishme që ka njohur Shqipëria”, kundër asaj që ai e përshkroi si “regjim i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.”









