Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re ndihme humanitare prej 145 milionë eurosh për Ukrainën, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike vazhdojnë të lënë miliona njerëz pa drita dhe pa ngrohje në kulmin e dimrit.
Komisioni Europian bëri të ditur se fondet do të shfrytëzohen për strehim emergjent, furnizime ushqimore, mbështetje financiare për familjet në nevojë, shërbime shëndetësore, ndihmë psikologjike dhe sigurimin e ujit të pijshëm për zonat më të goditura. Një tjetër fond prej 8 milionë eurosh do të shkojë për Moldavinë, për të përballuar fluksin e refugjatëve ukrainas.
Sipas Brukselit zyrtar, Ukraina po përjeton ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe ngrohjes pas goditjeve të përsëritura ruse ndaj centraleve, nënstacioneve dhe linjave të transmetimit, duke e thelluar krizën humanitare.
Komisionerja për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, theksoi se miliona qytetarë ukrainas po përballen me temperatura nën zero pa furnizim me energji, duke e cilësuar situatën si një nga momentet më të vështira që nga nisja e luftës. Ajo nënvizoi se BE-ja synon të garantojë strehim dhe mbështetje jetike për civilët.
Përveç ndihmës financiare, Bashkimi Europian ka dërguar tashmë 447 gjeneratorë elektrikë, ndërsa 500 të tjerë pritet të shpërndahen nga rezervat strategjike “rescEU”, me qëllim mbajtjen në funksion të shërbimeve thelbësore.
Që nga pushtimi rus në vitin 2022, sistemi energjetik i Ukrainës ka qenë vazhdimisht në shënjestër, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe situata të përsëritura emergjente për popullsinë.









