Shtetet e Bashkuara mund të jenë vetëm disa ditë larg një sulmi ushtarak ndaj Iranit, edhe pse ende mbetet hapësirë për një marrëveshje të minutës së fundit që do ta shmangte përshkallëzimin.
Sipas një analize të BBC, gjasat aktuale tregojnë se presidenti amerikan Donald Trump mund të japë urdhrin për goditje ndaj objektivave iraniane, duke hapur një fazë të re dhe të rrezikshme tensioni në Lindjen e Mesme. Media britanike rendit shtatë skenarë se si mund të zhvillohet situata pas një sulmi të mundshëm amerikan.
1. Sulme të kufizuara, ndryshim i madh politik
Forcat ajrore dhe detare të SHBA-së kryejnë goditje të sakta ndaj bazave të Gardës Revolucionare. Sipas këtij skenari, regjimi dobësohet ose bie, duke hapur rrugë për një tranzicion politik dhe një Iran më të hapur ndaj botës.
2. Regjimi mbijeton, por zbutet
Teherani i mbijeton goditjes, por detyrohet të ndryshojë qasje. Ky krahasohet me “modelin venezuelas”, ku presioni i fortë i jashtëm nuk rrëzon pushtetin, por e detyron të moderuar politikat. Analistët e konsiderojnë pak të mundshëm.
3. Rënie e regjimit, pushtet ushtarak
Pushteti civil shembet, por vendin e tij e merr një qeveri ushtarake, e dominuar nga figura të Gardës Revolucionare. Ky shihet nga disa si një nga skenarët më realistë.
4. Hakmarrje direkte ndaj SHBA-së dhe aleatëve
Irani kundërpërgjigjet me raketa balistike dhe dronë ndaj forcave amerikane apo vendeve fqinje. Edhe pse nuk krahasohet me fuqinë ushtarake të SHBA-së, Teherani ka kapacitete për të shkaktuar dëme serioze rajonale.
5. Minimi i Gjirit Persik
Një tjetër skenar parashikon vendosjen e minave detare nga Irani në Gjirin Persik, duke kërcënuar transportin global të naftës dhe tregtinë ndërkombëtare.
6. Goditje ndaj një anijeje luftarake amerikane
Në një përshkallëzim ekstrem, Irani mund të synojë një luftanije amerikane me valë dronësh shpërthyes, duke testuar kapacitetet mbrojtëse të Marinës së SHBA-së.
7. Rënie e regjimit, por zhytje në kaos
Skenari më i errët parashikon rrëzimin e pushtetit pa një alternativë të qëndrueshme, duke e zhytur Iranin – një vend me rreth 93 milionë banorë – në destabilitet, krizë humanitare dhe valë të reja refugjatësh.
Zhvillimet mbeten të paqarta, por çdo veprim ushtarak do të kishte pasoja që shkojnë përtej Iranit, duke prekur ekuilibrat globalë të sigurisë dhe energjisë.









