KRIZE NE SHBA/ Kaos në Senatin amerikan – demokratët bllokojnë fondet – Trump: “Nuk duam mbyllje të qeverisë”

Uashingtoni u fut sërish në vorbullën e krizave buxhetore, pasi senatorët demokratë bllokuan një paketë gjigante shpenzimesh, duke e shtyrë qeverinë amerikane drejt rrezikut të një mbylljeje të pjesshme që mund të nisë brenda ditësh.

Projektligji, që përfshin financimin e disa agjencive kyçe federale, u ndal në Senat pasi demokratët refuzuan ta lejonin avancimin e tij, duke kërkuar ndryshime të drejtpërdrejta në fondet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), ku përfshihet edhe agjencia e emigracionit ICE. Ata kërkojnë që fondet për DHS të ndahen nga pjesa tjetër e paketës, në mënyrë që politikat e emigracionit të rinegociohen veçmas.

Bllokimi erdhi pas një votimi 45–55, ku shtatë senatorë konservatorë iu bashkuan demokratëve për ta ndalur përparimin e paketës. Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, ndryshoi votën e tij në fund për të mbajtur të hapur mundësinë e rikthimit të projektligjit në votim.

Nëse nuk arrihet kompromis, disa nga departamentet më të mëdha federale – përfshirë Mbrojtjen, Shëndetësinë, Arsimin, Transportin dhe Strehimin – rrezikojnë të mbeten pa financim. Një marrëveshje e mundshme parashikon financim afatgjatë për pjesën më të madhe të agjencive, por vetëm zgjatje të përkohshme për DHS-në, për të lënë hapësirë për negociata të mëtejshme.

Presidenti Donald Trump u përpoq të ulë tonet, duke deklaruar në mbledhjen e kabinetit se nuk dëshiron një mbyllje të qeverisë.

“Po punojmë për ta shmangur. Besoj se as demokratët nuk duan ta shohin këtë,” u shpreh Trump, ndërsa bisedimet mes Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësve të Kongresit vazhdojnë me ritëm të tensionuar.

Me afatin që afrohet dhe kompromisin ende të brishtë, Uashingtoni ndodhet sërish buzë një përplasjeje politike që mund të ketë pasoja të mëdha administrative dhe ekonomike.