Bashkimi Evropian ka hedhur një nga kartat më të forta diplomatike kundër Iranit, duke miratuar zyrtarisht shpalljenq e Gardës Revolucionare Iraniane si organizatë terroriste – një lëvizje që trondit drejtpërdrejt strukturën më të fuqishme ushtarako-politike të regjimit në Teheran.
Lajmi u bë publik nga shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cila dha një mesazh të ashpër dhe pa dorashka:
“Çdo regjim që vret popullin e vet po punon drejt shkatërrimit të vet.”
Ky vendim e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtin nivel me organizata si al-Kaeda, ISIS dhe Hamas, duke e futur në listën më të zezë të BE-së. Masa sjell ndalim udhëtimi, ngrirje asetesh dhe hap rrugën për ndjekje ligjore ndaj rrjeteve apo mbështetësve të saj që veprojnë brenda territorit evropian.
🔥 Mesazh i qartë politik: Mjaft më me represion
Vendimi vjen si reagim ndaj shtypjes brutale të protestave, arrestimeve masive, torturave dhe ekzekutimeve në Iran. Sipas deklaratave të ministrave evropianë, bëhet fjalë për mijëra viktima, me shifra që sipas disa vlerësimeve shkojnë deri në dhjetëra mijëra të vrarë gjatë valëve të protestave.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, e quajti këtë “një mesazh të fortë kundër terrorit shtetëror”, ndërsa homologë të tjerë evropianë theksuan se BE nuk mund të qëndrojë neutrale përballë burgosjeve politike, torturave dhe mbylljes së internetit për të mbytur zërin e protestuesve.
Franca, ndërkohë, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë dhe rivendosjen e aksesit në internet, ndërsa të paktën tre shtetas evropianë mbeten të burgosur në Iran.
🌍 Në një linjë presioni me SHBA-në
Ky zhvillim e afron edhe më shumë BE-në me linjën e ashpër të Uashingtonit ndaj Iranit. Ndërkohë që SHBA-të po shtojnë presionin për programin bërthamor iranian, klima në rajon po bëhet gjithnjë e më e brishtë, me rrezikun e përshkallëzimeve të reja.
Vendimi i BE-së konsiderohet një sinjal se Evropa po kalon nga fjalët te veprimi, duke e rritur ndjeshëm presionin diplomatik, ekonomik dhe ligjor ndaj regjimit iranian.
Mesazhi final nga Brukseli është i prerë: represioni ka kosto – dhe këtë herë, kostoja është ndërkombëtare.









