Një zhvillim që mund të trazojë gjithë skenën gjeopolitike: Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka propozuar drejtpërdrejt Donald Trump organizimin e një samiti trepalësh me Iranin, një nismë që synon të prekë një nga vatrat më të nxehta të politikës botërore.
Sipas mediave turke, ideja u hodh gjatë një telefonate mes dy liderëve më 27 janar, ku Erdogan kërkoi një takim që do të përfshinte SHBA-në, Turqinë dhe Iranin — madje edhe në format virtual, përmes lidhjeje video, nëse kushtet nuk lejojnë takim fizik.
Burimet raportojnë se Trump ka reaguar pozitivisht ndaj propozimit, një sinjal që mund të hapë një kapitull të ri diplomatik mes palëve që prej kohësh ndodhen në linja të tensionuara.
Në të njëjtën kohë, diplomacia po lëviz me ritëm të shpejtë. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pritet të udhëtojë drejt Turqisë këtë javë për bisedime me homologun turk Hakan Fidan, në një përpjekje për të koordinuar qëndrimet dhe për të ulur temperaturat në rajon. Datat nuk janë bërë publike, por mesazhi është i qartë: kanalet e komunikimit janë hapur.
Kjo lëvizje vjen pas kontakteve të fundit mes zyrtarëve të lartë turq dhe iranianë më 28 janar, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit rreth Iranit dhe përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.
Nëse realizohet, ky samit mund të shndërrohet në një moment kyç për balancat në Lindjen e Mesme, me Turqinë që po përpiqet të pozicionohet si ndërmjetës kryesor mes Uashingtonit dhe Teheranit.









