Kushtetuesja “i mbyll derën” Ilir Beqajt – rrëzon kërkesën për liri të ish-ministrit; e lë pas hekurave!

Një tjetër derë u mbyll për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një JO të prerë ankimimit të tij, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Beqaj kishte kërkuar lirimin, duke e cilësuar masën si të papajtueshme me Kushtetutën dhe duke kërkuar ndërhyrjen e gjykatës më të lartë në vend. Por vendimi i Kushtetueses e përplas përfundimisht për momentin me realitetin e qelisë.

Sipas raportimeve, ai kishte kërkuar gjithashtu rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në përpjekje për të ndryshuar kursin e çështjes së tij – por pa sukses.

Ish-ministri po hetohet në dosjen e njohur si SASPAC, ku dyshohet për abuzim me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte këtë agjenci. Kjo është një nga çështjet që ka vendosur në qendër të vëmendjes emrin e tij në dosjet e SPAK.

Ndërkohë, në dosjen e sterilizimit, Beqaj po ndiqet në gjendje të lirë. Aty janë 8 persona nën akuzë, në një çështje që ka tronditur prej kohësh debatin publik për mënyrën e menaxhimit të kontratave në shëndetësi.

Vendimi i Kushtetueses shihet si një zhvillim i fortë në betejën ligjore të ish-ministrit, i cili për momentin nuk arrin t’i shpëtojë masës më të rëndë të sigurisë.