Një deklaratë e fortë dhe e pazakontë ka ardhur nga Papa Leoni XIV, i cili ka ngritur alarmin për një fenomen të ri që po përhapet në heshtje: lidhjet emocionale me chatbotët e inteligjencës artificiale. Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke — kush zëvendëson njerëzit me “të dashura” virtuale, rrezikon pasoja të rënda emocionale dhe shoqërore.
Në mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve Sociale, Ati i Shenjtë paralajmëroi se bota digjitale po e bën gjithnjë e më të paqartë kufirin mes njeriut dhe makinës. Sipas tij, njerëzit po mashtrohen nga sisteme që duken të dashur, të vëmendshëm dhe gjithmonë të gatshëm — por që në thelb nuk kanë shpirt, ndjenja apo përgjegjësi morale.
“Fytyrat dhe zërat njerëzorë janë të shenjtë,” theksoi Papa, duke shtuar se pa marrëdhënie reale nuk mund të ketë as miqësi të vërtetë, as dashuri, as komunitet. Ai e cilësoi këtë prirje si një rrezik që prek vetë themelet e qytetërimit njerëzor.
Papa Leoni XIV pranoi se chatbotët me AI mund të duken argëtues, por i përshkroi si një kurth emocional, veçanërisht për personat e vetmuar apo të brishtë psikologjikisht. Sipas tij, fakti që këto sisteme janë gjithmonë të disponueshme dhe emocionalisht “perfekte”, i bën ato të depërtojnë në intimitetin personal dhe të krijojnë varësi.
Ai paralajmëroi se zëvendësimi i lidhjeve njerëzore me inteligjencën artificiale mund të çojë në pasoja shumë më të thella sesa duken në sipërfaqe — duke prekur jo vetëm jetën personale, por edhe strukturën sociale, kulturore dhe madje politike të shoqërisë.
Në shënjestër të kritikave të tij ishin edhe algoritmet e rrjeteve sociale, të cilat, sipas Papës, ushqejnë emocionet e shpejta, dobësojnë mendimin kritik dhe shtojnë polarizimin mes njerëzve.
Megjithatë, ai nuk kërkoi ndalimin e teknologjisë, por përdorimin e saj me vetëdije dhe përgjegjësi, duke theksuar se inovacioni ka një natyrë të dyfishtë: mund të shërbejë njeriun, por edhe ta largojë atë nga realiteti.
Ky qëndrim vjen në vazhdën e paralajmërimeve të mëparshme nga Vatikani për inteligjencën artificiale. Vetëm një vit më parë, Papa Françesku kishte deklaruar se teknologjitë që simulojnë realitetin bëhen të rrezikshme kur shtrembërojnë marrëdhënien tonë me botën dhe me njëri-tjetrin, duke bërë thirrje për më shumë rregullim dhe kontroll mbi zhvillimin e AI.









