EMIGRACIONI/ BE iu mbyll derën 14 mijë shqiptarëve IBE – 44% duan të largohen nga vendi

Shifrat e fundit nxjerrin në pah një realitet tronditës për Shqipërinë: mijëra qytetarë po përpiqen të hyjnë në Bashkimin Europian, ndërsa pothuajse gjysma e popullsisë shpreh dëshirën për t’u larguar nga vendi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, gjatë vitit 2024 rreth 14 mijë shtetas shqiptarë janë përballur me refuzim hyrjeje në kufijtë e BE-së, duke e renditur Shqipërinë të dytën në listën e vendeve me më shumë raste të tilla, pas Ukrainës.

Në total, 124 mijë qytetarë nga vende jashtë BE-së u ndaluan në kufi. Shumica u bllokuan në kufijtë tokësorë (57%), ndërsa pjesa tjetër në aeroporte dhe kufij detarë. Arsyet kryesore lidhen me mungesën e dokumentacionit të vlefshëm apo mosjustifikimin e qëllimit të udhëtimit.

Por tabloja bëhet edhe më e fortë kur shihet prirja për t’u larguar: sipas Barometrit Ballkanik, 44% e shqiptarëve deklarojnë se duan të emigrojnë, duke e vendosur Shqipërinë në krye të rajonit për dëshirën për largim. Një pjesë e konsiderueshme, rreth 18%, e shohin këtë si largim përfundimtar.

Raporti i Eurostat thekson se emigrimi drejt BE-së mbetet i lartë në të gjithë kontinentin. Vetëm në vitin 2023, rreth 4.4 milionë qytetarë nga vende jo-anëtare hynë në BE, ndërsa vendet si Spanja, Gjermania dhe Italia përthithën pjesën më të madhe të fluksit.

Ndërkohë, BE vazhdon të tërheqë punëtorë të kualifikuar: mbi 78 mijë persona morën Kartën Blu në 2024, me Gjermaninë që mban pjesën dërrmuese.

Megjithatë, për Shqipërinë, mesazhi i shifrave është i qartë: presioni ekonomik, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për zhvillim po shtyjnë gjithnjë e më shumë qytetarë të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit, edhe përballë pengesave të forta në kufijtë e Europës.