VIDEO-LAJM/ Udhëtimi që u kthye në tragjedi – 7 tifozë të PAOK humbin jetën në Rumani…Kujdes! Pamje të rënda…

Një aksident i tmerrshëm rrugor në Rumani ka përfunduar në tragjedi, duke u marrë jetën shtatë tifozëve të PAOK-ut, të cilët ishin nisur drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Olympique Lyon në Europa League.

Në furgonin e përfshirë në përplasje ndodheshin edhe dy shtetas shqiptarë, Genci Sadiku dhe Vasil Palo. Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tyre shëndetësore apo nëse janë mes viktimave apo të plagosurve.

Ngjarja ndodhi në një segment autostrade pranë qytetit Lugoj, në perëndim të Rumanisë. Sipas autoriteteve, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas me të, më pas kaloi në kahun e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një tjetër kamion. Në aksident u përfshinë katër mjete.

Përplasja ishte fatale: gjashtë persona vdiqën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Tre të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan fillimisht në spitalin e Lugojit e më pas në Spitalin Universitar të Timisoarës. Ndërhyrja ajrore u bë e pamundur për shkak të motit të keq.

Të gjithë tifozët në mjet ishin 25–30 vjeç. Mediat greke raportojnë se furgoni, i projektuar për 8+1 persona, transportonte 10 pasagjerë, çka mund të ketë ndikuar në pasojat e rënda.

Autoritetet greke dhe ambasada në Bukuresht janë në kontakt me palën rumune për identifikimin e viktimave dhe ndihmën për familjarët. Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka marrë përsipër shpenzimet për kthimin e trupave dhe mbështetjen e të plagosurve.

Kjo tragjedi rikthen kujtimet e errëta të vitit 1999, kur gjashtë tifozë të PAOK humbën jetën në një tjetër aksident rrugor — një plagë që hapet sërish për komunitetin e klubit nga Selaniku.