Skena tronditëse janë regjistruar në Selanik, ku një tubacion uji shpërtheu papritur me presion të jashtëzakonshëm, duke kthyer një zonë të frekuentuar të qytetit në një moment kaosi dhe paniku.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të rrugëve Agios Dimitrios dhe Platonos, ku po zhvilloheshin punime ndërtimi. Sipas mediave greke, shpërthimi i tubacionit çliroi një forcë të madhe uji që u ngrit deri në rreth dy metra lartësi. Tubi i çarë lëvizte në mënyrë të pakontrolluar, duke goditur me forcë një punëtor në kantier. Ai u rrëzua menjëherë në tokë dhe u përpoq të largohej me vështirësi nga zona për t’i shpëtuar rrezikut.
Pamjet tregojnë momente frike, ndërsa kalimtarët dhe punëtorët përreth u përfshinë nga paniku. Si pasojë e incidentit, katër persona mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Policia bllokoi menjëherë zonën pranë Ministrisë së Maqedonisë dhe Trakisë, duke ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugën Agios Dimitrios për të lehtësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës dhe për të shmangur rreziqe të tjera. Autoritetet po hetojnë shkaqet e shpërthimit të tubacionit.









