KUNDERVENIA/ Djali i Olldashit kritikon Foltoren e Berishës: “Disa që flasin na bëjnë për të qeshur, duhet foltore me zgjidhje konkrete!”

Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit dhe deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, kritikoi Foltoren e PD-së gjatë takimit të Forumit Rinor Demokrat me kryetarin Sali Berisha. Ai vuri në dukje se disa nga folësit e përzgjedhur nuk janë të denjë, shpesh u merret goja ose nuk dinë të komunikojnë, duke dëmtuar imazhin e partisë dhe të të rinjve.

Olldashi sugjeroi që diskutimet e brendshme të PD-së të zhvillohen pa kamera, duke trajtuar problemet konkrete dhe specifike. Ai propozoi gjithashtu organizimin e Foltoreve me tema të veçanta çdo të hënë, për shembull arsimi, shëndetësia, bujqësia, etj., ku të ftohen ekspertët për të ofruar zgjidhje, në vend që të mbahen fjalime të përgjithshme që “na bëjnë për të qeshur dhe të ulim kokën”.

Ai theksoi se qasja aktuale e Foltoreve dëmton më shumë të rinjtë e PD-së sesa kryetarin, duke u bërë një pengesë për karrierën dhe imazhin publik të tyre.

“Problemi nuk është vetëm Rama apo qeveria, por problemet reale të qytetarëve, dhe këto duhet të trajtohen në Foltore konkrete dhe të specializuara,”- përfundoi Olldashi

Pjesë nga fjala e Glauk Olldashit:

“Doktor, unë mendoj se partia jonë nuk është sa jemi këtu në sallë. Do jetë shumë e mirë që ne të bënim një takim tjetër pa kamera, mes nesh dhe jush, me forumin. Sepse problemet e shtëpisë kam parimin që diskutohen mes nesh dhe jo në sy të botës. Po jam edhe një sugjerim timin. Ne çdo të hënë bëjmë Foltoret para Kryeministrisë, e për hir të së vërtetës pjesëmarrja nuk është e pakënaqshme., Nuk ka të bëjë me frikën dhe sigurinë, por duket se problemi qëndron tek dita e hënë. Ndaj foltorja e të hënës nuk ka pjesëmarrje. Tjetra mendoj se ata që flasin në atë Foltore nuk janë të duhurit, nuk janë të denjë, nuk e di kush i zgjedh, por nuk ka qasje dhe nuk ka përfshirje edhe të të rinjve”, tha ai mes të tjerash.

“Ka njerëz atje që edhe u merret goja kur flasin, nuk janë të denjë. Ata njerëz që dalin e flasin atje po bëjnë faj edhe ndaj nesh, sidomos me ne të rinjtë që kemi karrierën dhe jetën para, dhe imazhi publik na dëmton më shumë ne sesa ju”.

“Mendimi im është që çdo të hënë të bëjmë Foltore specifike, një të hënë arsimi, një ditë për shëndetësinë, bujqësinë, naftëtarët, minatorët e me radhë e radhë. Problemet janë nga më të pafundme, të kemi foltore specifike çdo të hënë, të mbledhim ekspertët, të flasin ata, e të mos shohim ca fytyra që na bëjnë për të qeshur dhe ne na bëjnë për të qeshur dhe të ulim kokën. Pra të bëjmë një protestë ku të mos themi Ramaduro apo Rama është problemi, por të themi problemi është ky dhe të trajtojmë problemet shqiptare. Kaq kisha”.