Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të mos i bashkohet, të paktën për momentin, Bordit të Paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve që lidhen me pjesëmarrjen e mundshme të presidentit rus Vladimir Putin.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi për BBC se Londra ishte ftuar të bëhej pjesë e kësaj nisme gjatë ceremonisë së Forumit Ekonomik Botëror në Davos, por theksoi se “Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë ndër nënshkruesit në këtë fazë”.
Sipas saj, bëhet fjalë për një marrëveshje ligjore që ngre çështje më të gjera sesa qëllimi fillestar i iniciativës, e cila synonte përfundimin e luftës Izrael–Hamas në Rripin e Gazës.
Deri më tani, pjesëmarrjen në Bord kanë konfirmuar Arabia Saudite, Turqia, Egjipti dhe Izraeli. Nga ana e tij, Trump deklaroi në Davos se Vladimir Putin kishte pranuar ftesën për t’iu bashkuar Bordit, por Kremlini nuk e ka konfirmuar këtë pretendim, duke bërë të ditur se po shqyrton ende ofertën.
Cooper nënvizoi se Mbretëria e Bashkuar mbështet planin 20-pikësh të Trump për paqen në Gaza dhe do të përfshihet në fazën e dytë të procesit, por nuk mund të nënshkruajë marrëveshjen në këtë moment për shkak të paqartësive mbi rolin e Rusisë dhe mungesës së sinjaleve konkrete për angazhim të Putinit në përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë kaluar momente tensioni pas paralajmërimeve të Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane lidhur me çështjen e Grenlandës. Këto kërcënime duket se janë pezulluar pas bisedimeve me NATO-n, një zhvillim që Cooper e cilësoi si pozitiv për sigurinë në rajonin e Arktikut.
Takimi mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të zhvillohet të enjten në Davos, ndërsa përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë vijojnë.









