Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama për protestën e thirrur nga opozita më 24 janar, duke i kërkuar socialistëve që ta njoftojnë kreun e qeverisë për mobilizimin qytetar.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha iu drejtua deputetëve të mazhorancës me tone sfiduese, duke i ftuar që t’i përcjellin Ramës mesazhin se duhet të qëndrojë në zyrë ditën e protestës dhe të përballet me qytetarët.
“Data 24 është e pashmangshme. Shkoni e thojini: po je burrë, qëndro në zyrë. Rri në zyrë dhe prite popullin që po vjen. Shkoni edhe ju me të”, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së ngriti akuza të forta për afera korruptive ndaj qeverisë, duke përmendur dosjen e AKSHI-t. Sipas tij, biznesmenët pengohen të marrin pjesë në gara publike përmes urdhrave politikë.
“Merrni faktet. Dosja e AKSHI-t tregon se me urdhër nga Surreli merren peng biznesmenë që guxojnë të hyjnë në garë”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu Ramën për qëndrime të dyfishta në politikën e jashtme, duke thënë se kryeministri shpreh mirëkuptim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, por jo me kryeministrin e Kosovës.
“Sipas tij, Rama deklaron se merret vesh shumë mirë me Vuçiçin, por nuk merret vesh me kryeministrin e Kosovës, pasi ky i fundit nuk u bindet urdhrave të Beogradit”, përfundoi Berisha.









