E PANDEHUR/ Nga batutat e Big Brother te GJKKO – Kryemadhi paraqitet për masën “detyrim paraqitje”: Drejtësi me regji

Monika Kryemadhi u paraqit sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Gjatë mbërritjes, Kryemadhi nuk i shmangu komentet ironike për mediat, duke iu drejtuar gazetarëve me batuta: “U puth Ina me Kejsin, kur thashë unë dashuri me regji nuk më besuat. Si këtu, drejtësi me regji”.

Kujtohet se vitin e kaluar Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-Presidentin e Republikës Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.

Të pandehurit akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në kuadër të hetimeve që lidhen me aferën CEZ-DIA dhe lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hetimi i SPAK ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasuese mbi bazën e kallëzimeve të ndryshme, të cilat u bashkuan në një procedim të vetëm në vitin 2024.