Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të enjte, me 113 vota pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër, ratifikimin e marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes, e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama.
Abstenimi i vetëm erdhi nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ndërsa amendamenti i paraqitur nga opozita për heqjen e emrit të kryeministrit Rama nga titulli i projektligjit u rrëzua me 79 vota kundër, 30 pro dhe asnjë abstenim.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi nen për nen aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me 110 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Më herët, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kishte autorizuar kryeministrin Rama për nënshkrimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes, një nismë ndërkombëtare e ndërmarrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.










